Promovimi i thesarit të Komanit dhe Sardës

Më datën 9 e 10 maj 2025, u realizuan ditë pune intensive në terren, përqendruar në eksplorimin dhe promovimin e potencialit turistik të zonës së Veriut të Shqipërisë, me fokus te Liqenet e Komanit dhe të Sardës. Ky aktivitet synoi të thellojë njohuritë rreth vlerave natyrore, historike dhe arkeologjike, si dhe të lidhë përvojën e sotme me zbulimet dhe itineraret e shquara të së kaluarës. Vlerë e shtuar ishte prania e nje grupi studentësh francezë nga Universiteti Haute – Alsace, Francë, që po bëjnë një eksperience studimi një mujore në Universitetin e Shkodrës, në kuadër të bashkëpunimit mes dy universiteteve.

Pikat kryesore të vizitës dhe vlerësimi i potencialit turistik

Dita filloi me vizitën në Liqenin e Komanit, një mrekulli natyrore e krijuar nga dora e njeriut, që ofron një peizazh mbresëlënës me gryka të thella, shkëmbinj të thepisur dhe ujëra smerald. Lundrimi në liqen është një përvojë unike, shpesh e krahasuar me fjordet skandinave. Gjatë kësaj vizite, u theksua potenciali i madh për turizmin e aventurës, lundrime me anije, kajak, dhe kanoe, duke shfrytëzuar qetësinë e ujit dhe bukurinë natyrore, vëzhgimin e shpendëve dhe bimësisë, promovimin e ndërgjegjësimit mjedisor. Zonat përreth liqenit mund të ofrojnë shërbime bujtinash dhe ushqime tradicionale, duke zhvilluar agroturizmin.

Ditën më pas, ekipi u drejtua drejt Liqenit të Sardës, një pikë me rëndësi të veçantë historike dhe arkeologjike, ku ndodhet ishulli i Shurdhahut, me rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës. Këtu, përveç bukurisë natyrore, u theksua potenciali për turizmin kulturor dhe historik. Vizita në rrënojat e katedrales, mureve të kalasë dhe varrezave mesjetare u bë më intersante falë shpjegimeve të historianit Zamir Tafilica, i ftuar enkas nga ekipi i punës. Kjo pikë ofron një dëshmi të rëndësishme të qytetërimit të hershëm në këto treva. Gjithashtu, kërkimi dhe dokumentimi i mëtejshëm i mbetjeve arkeologjike pasuron ofertën për ata që pëlqejnë turizmin arkeologjik. Krijimi i materialeve informative dhe guidave që rrëfejnë historinë e Sardës si qendër e rëndësishme e qyteërimit do të ishte në dobi të edukimit historik.

Ndërthurja e historisë me përvojën në terren. Hulumtimet e Degrandit dhe zbulimi i Komanit

Një moment kulmor i ditës ishte prezantimi i Prof. Dhurata Hoxhës. Ajo ofroi një pasqyrë të thelluar mbi itineraret e Degrandit në Veriun e Shqipërisë dhe kontributin e tij thelbësor në zbulimin e qytetërimit të Komanit. Prof. Hoxha ilustroi me detaje përshkrimet e Degrandit, duke i konkretizuar ato me peizazhet dhe gjetjet e sotme në terren.

Përmes fjalëve të saj, udhëtimet e Degrandit, hulumtimet e tij arkeologjike dhe zbulimi i nekropoleve të Komanit, që shënuan identifikimin e një kulture unike të tranzicionit nga antikiteti në mesjetë, u bënë më të prekshme. Kjo qasje jo vetëm që pasuroi përvojën e eksplorimit, por theksoi edhe rëndësinë e krijimit të “Itinerareve hulumtuese”. Zhvillimi i rrugëtimeve turistike që ndjekin gjurmët e studiuesve dhe udhëtarëve të shquar, ofron një dimension më të gjerë. Promovimi i zonës së Komanit si një sit arkeologjik me rëndësi ndërkombëtare, shërben për të tërhequr specialistë dhe dashamirës të historisë. Për këtë u sugjerua nga pjesmarrësit krijimi i më shumë qendrave informuese ose muzeve të vegjël pranë sitit të Komanit, për të ekspozuar gjetjet dhe për të shpjeguar rëndësinë e kulturës së Komanit. Për studentët francezë, dhe shqiptarë njëkohësisht, ishte një udhëtim i dyfishtë, në kohë reale dhe në retrospektivë, mes rrëfimeve e dëshmive të studiuesit francëz, Degrand.