“Histori kaq interesante udhëtimesh botohen çdo ditë, dhe jo pa hezitim vendosa, me këshillën e miqve, ndoshta shumë tolerantë, të botoj këto shënime të marra gjatë udhëtimit nëpër një rajon ku sot gjithçka nuk është gjë tjetër veçse rrënoja, midis të cilave enden mbetjet e një race të harruar.” (Aleksandër Degrand, 1901, Kujtime nga Shqipëria e Eperme)
Duke përdorur një term të përdorur nga inxhinieri francez Eduart Shnaider (Édouard Schneider) në një studim të botuar disa vite më parë, Degrandi përpiqet të shtojë interesin e kërkimeve për të pasuruar dijet evropiane rreth këtij populli të lënë në harresë.
Pse Degrand mbërriti në Shkodër në një shekull plot me trazira historike dhe diplomatike në jetën e shqiptarëve?
Zhyl Aleksandër Teodor Degrand, (Jules Alexandre Théodore Degrand) i lindur në një familje fisnike franceze, u bashkua me shërbimin diplomatik francez jashtë vendit në vitin 1868, si stazhier- konsull, një lloj atasheu për shërbime konsullore në konsullatën në Buenos Ajres. Ai qëndroi në Rumani në vitin 1874 si kancelar i konsullatës franceze në Galati dhe si zëvendëskonsull në Roustchouk (Kustendje) në vitin 1883. Kjo periudhë duhet të ketë shënuar karrierën e tij sepse në 1890, ai jo vetëm që u vlerësua me medaljen e Kalorësit të “Légion d’Honneur”, por arriti të zhvillonte disa nga pasionet e tij, një interes për historinë, arkeologjinë, fotografinë dhe gjuhët. Në 1893, ai erdhi si konsull në Shkodër, një qytet i rëndësishëm në Shqipëri në kohën ku kishin qëndruar më parë paraardhësit e tij, përfshirë konsullin Iasint Hekard (Hyacinthe Hecquard), autor i librit Përshkrim i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë (1863). Gjatë viteve të misionit të tij (1893-1899), Degrandi ishte konsulli që udhëtoi shumë, fotografoi dhe shkroi shënime udhëtimi. Kur u kthye në Francë, ai botoi në vitin 1901 “Souvenirs de la Haute Albanie”, që konsiderohet si një nga studimet e para mbi Shqipërinë veriore, i shkruar në formën e një tregimi udhëtimi si dhe të një studimi etnografik në terren ku ndërveprimet me banorët janë të një rëndësie të veçantë.
Duke zbuluar rrugën e Degrandit për në Shkodër, “…Mendoj se është më mirë të zbarkojmë në Dulcigno (Ulqinj) që ia vlen ta shohim…”, turisti modern ka shumë për të mësuar rreth historisë së lashtë dhe moderne të tokave shqipfolëse, përfshirë Ulqinin, “Si të gjitha qytetet e Shqipërisë, Ulqinit iu desh t’i rezistonte shumë rrethimeve, turqit e pushtuan atë në 1571, pothuajse një shekull pas pushtimit të Shkodrës; venecianët u përpoqën të hynin aty në 1696 dhe 1722 pa sukses, qyteti doli i rrënuar nga këto luftëra.”
Nëse Degrandi udhëtoi nga Ulqini në Shkodër gjysmë “mbi kalë… pastaj kaloi Bunën me traget”, ky udhëtim i fundit me anije rekomandohet edhe sot. Nisja me anije të vogël nga grykderdhja e Bunës në Malin e Zi, kalimi në detin Adriatik, kthimi përsëri në anën tjetër të Bunës për të admiruar gjatë gjithë lundrimit brigjet e lumit deri te ura e vjetër, përballë së cilës nuk ka asnjë gjurmë të Pazarit të vjetër të përshkruar nga Degrand si vendi ku “…duhet të kalosh një ose dy ditë duke studiuar jetën e dyqaneve dhe industritë lokale. […] Argjendarët janë më interesantët. Çfarë durimi dhe aftësie

Rrugica në Pazarin e Shkodrës, Alexandre Degrand, 1890, http://albanianphotography.net/degrand/index.html
u duhet atyre për të prodhuar stolitë me filigran kaq të holla dhe në të njëjtën kohë kaq të forta, me të cilat zbukurojnë armët që u sjellin; çfarë modelesh, elegante në këto kopsa të destinuara për xhaketa fshatare, të çuditshme midis këtyre jakave të rënda të stilit bizantin kaq dekorative! ” Sidoqoftë, nëse Pazari i vjetër nuk i rezistoi “stuhive”, artizanati është ende gjallë dhe me famë në qyteti.
Një ndalesë tjetër nga Degrandi “në rrugën e Peshkatarëve” ku mund të vëreheshin “forma kasollesh të mbuluara me kallamishte, të instaluara mbi shtylla… ku burra të heshtur dhe të palëvizshëm qëndrojnë atje ditë e natë, duke pritur momentin kur peshqit të depërtojnë…” është sot identiteti jo vetëm i peshkatarëve të fshatrave Shirokë dhe Zogaj, por edhe i shumë banorëve të qytetit të apasionuar pas peshkimit.

Diga e peshkimit në liqenin e Shkodrës, Alexandre Degrand, 1890,
http://albanianphotography.net/degrand/index.html
Nëse nekropoli i Komanit iu dorëzua botës arkeologjike, kjo ndodhi falë Aleksandër Degrand, i cili u bë i pari që shkeli atje, pavarësisht reputacionit si një vend i rrezikshëm dhe i egër. I apasionuar pas arkeologjisë, kulturave ballkanike për të cilat kishte njohuri të gjera, si dhe fotografisë, ai vizitoi shumë fortesa, kisha dhe rrënoja mesjetare, Drivasto (Drisht), Sciassi (Shas), Gaëtan (Gajtan), Masreco (Mazrek), Dagno (Danja), Sarda, Craja (Kraja), për t’u ngjitur në Kalanë dhe malin e Varreve pranë Komanit dhe “për të hedhë një pyetje mbi sekretet e këtij nekropoli të rëndësishëm dhe misterioz të shekujve 6-7”. Gërmimet e tij, si dhe objektet e gjetura në varret e Komanit dhe fortesën dalmate (unaza dhe byzylykë qafe prej bronzi, gjerdanë me perla, vathë dhe unaza prej bronzi dhe argjendi, unaza dhe stoli prej bronzi dhe argjendi, sëpata, shpata, thika, brosha, çakmakë hekuri) e bënë atë të vinte në pikëpyetje origjinën e shqiptarëve: “Kush janë këta njerëz, që u kujdesën kaq shumë për të siguruar prehjen e të vdekurve të tyre, i varrosën ata me të gjitha objektet ose xhevahiret që u përkisnin dhe i transportuan në këtë lartësi me një qasje kaq të vështirë? […] Cilat ishin zakonet, doket, feja apo origjina e tyre? […] “A janë vërtet shqiptarët pellazgë […] që kanë mbetur të papërzier deri më sot, duke ruajtur të paprekur gjuhën e tyre dhe shumicën e zakoneve, siç pohojnë disa shkrimtarë modernë që i kanë studiuar?” (Degrand: 1901, Souvenirs de la Haute-Albanie). Me tu kthyer në Francë, ai i dhuroi këto objekte Muzeut të Antikiteteve Saint-Germain-en-Laye, pranë Parisit, duke ngjallur kështu interesin e studiuesve për të kryer studime të mëtejshme. Çfarë mbeti një enigmë për Degrandin u zbulua shumë vite më vonë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj. Gërmimet nxorrën në dritë fillimet e qytetërimit të Komanit, ku ndër të tjera, u zbuluan më shumë se 12 kisha, madje edhe katedrale.
Që nga viti 2017, misioni franko-shqiptar i gërmimeve arkeologjike në luginën e Drinit, i kryesuar nga Znj. Etleva Nallbani, arkeologe dhe studiuese në CNRS Paris, vazhdon punën e filluar në vitet 1960, 1982-1984, 2008. Gërmimet synojnë “organizimin e habitatit të Komanit, një monument i qytetit të sipërm të Sardës dhe ledhit të tij për të zbuliar dy terrene nënujore me qëllim përfundimin e gërmimit të plotë të nekropolit kryesor të Komanit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë konteksteve funerale, të cilat na lejojnë të hartojmë një skicë të popullsisë mbi 800 vjet”.(Faqja e internetit e EFRome)
Edhe pse Degrandi pati vështirësi për të vizituar këto zona, sot ato janë lehtësisht të arritshme dhe më piktoreske. Për këtë itinerar rreth Shkodrës, propozohet Drishti, ku ka një kombinim të natyrës, historisë dhe kulturës për ata që duan të zbulojnë Shqipërinë autentike; Shasin, Gajtanin, Mazrekun, për të zbuluar rrënojat e kishave të lashta që dëshmojnë për jetën e banorëve dhe Sardën, të rrethuar nga kodra të gjelbra dhe peizazhe malore. Një udhëtim me varkë për të eksploruar mbetjet historike (kisha të lashta ose vende arkeologjike), për të soditur peizazhet madhështore ndërsa vizitori dëgjon legjendat e treguara nga banorët. Në kthim, të shijosh gatimet lokale të përgatitura me produkte të freskëta dhe lokale është e pashmangshme.
Fotografitë e bëra nga Degrand (79 në numër) të cilat ilustrojnë veprën e tij “Kujtime nhga Shqipëria e Epërùe” janë me rëndësi të madhe historike.
Bibliografia
Degrand, A, (1901), Souvenir de la Haute-Albanie, Paris, Les Livres Rama

Pamje e rrënojave në Sarda, Alexandre Degrand, 1890,
http://albanianphotography.net/degrand/index.html






