Më 26 Qershor 2025, u realizua një ditë pune eksploruese në terren, kushtuar promovimit të zonës së rrjedhës së lumit Buna. Ky aktivitet u fokusua te roli i Bunës si kufi natyror midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke theksuar pika kyçe si Pulaj (Delta e Bunës), Pentari dhe Belaj. Synimi ishte të nxirrej në pah trashëgimia e pasur historike dhe gjeografike e këtij territori, e lidhur ngushtë me itineraret e udhëtarëve dhe diplomatëve të shquar.
Pikat Kryesore të Vizitës dhe Vlerësimi i Potencialit Turistik
Dita filloi me vizitën në rrjedhën e lumit Buna, duke ndjekur lumin që shërben si një kufi natyror por edhe si një korridor historik dhe kulturor. Udhëtimi filloi në Pulaj (Delta e Bunës), një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike dhe një pikë strategjike. Delta ofron një pasuri të biodiversitetit dhe mundësi unike për vëzhguesit e shpendëve dhe për ata që kërkojnë të lidhen me natyrën e paprekur, mundësi për bujtina dhe aktivitete të lidhura me peshkimin tradicional.
Vizita vazhdoi në Pentar, një zonë me rëndësi arkeologjike dhe historike të thellë, sidomos për fortifikimet e saj, të cilat tregojnë një histori të pasur të banimit dhe mbrojtjes. Kjo zonë ofron një fushë të pasur për studiuesit dhe edukimin mbi historinë e lashtë të rajonit.
Së fundmi, ekipi eksploroi Belaj, një tjetër pikë strategjike me fortifikime mesjetare. Kjo zonë, si Pentari, dëshmon për rëndësinë e Bunës si një linjë mbrojtëse dhe komunikimi ndër shekuj. Fortifikimet mund te integrohen ne itinerare historike dhe shpesh ofrojnë pamje të mrekullueshme të lumit dhe rrethinës, ideale për fotografi dhe piknik.
Ndërthurja e Historisë me Zbulimin në Terren. Itineraret e Ermanno Armaos
Një dimension thelbësor ishte prezantimi i Prof. Lindita Kazazit. Ajo foli rreth itinerareve të Ermanno Armaos, një diplomat i shquar italian i shekullit të 20-të, i cili eksploroi bregun e majtë të lumit Buna.
Prof. Kazazi, përmes prezantimit të saj, solli përshkrimet e Armaos, duke treguar në terren vendodhjen dhe se si ai kishte dokumentuar me përpikëri fortifikimet e lashta dhe mesjetare të rajonit, si ato prehistorike të Beltojës dhe Malit të Gjymtit (Pentar), fortifikimet mesjetare të Belajt, duke i lidhur ato me rrëfimet historike dhe përshkrimet e Armaos.
Kjo qasje theksoi rëndësinë e zhvillimit të Itinerareve akademike-turistike, krijimi i rrugëtimeve turistike që ndjekin gjurmët e diplomatëve dhe studiuesve të vjetër, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të pasur.


