• Home
  • /
  • Itinerare
  • /
  • DUKE EKSPLORUAR SHQIPËRINË E VERIUT ME HARTOGRAFIN GUILLAUME LEJEAN
    Ideoi Alma HAFIZI

DUKE EKSPLORUAR SHQIPËRINË E VERIUT ME HARTOGRAFIN GUILLAUME LEJEAN
Ideoi Alma HAFIZI

 

“…Fitorja po largohej dalngadalë nga Nili. -T’i hedhim një vështrim të fundit, – tha doktori, – kësaj gjerësie gjeografike të pakapërcyeshme, që edhe udhëtarët më të guximshëm s’kanë mundur ta tejkalojnë kurrë. Ja ku janë pikërisht ato fise që përmenden prej Peterikut, d’Arnosë, Mianit dhe atij udhëtarit të ri, Lëzhanit, të cilit i detyrojmë punimet më të mira mbi Nilin e sipërm.”

Zhyl Vern (1969), Pesë javë në balon, Naim Frashëri, përkth. E.Fico, fq.84

Guillaume Lejean (1824-1871) ishte hartograf dhe gjeograf nga Bretanja. Ai studioi në College de France në Paris ku u njoh me mjaft studentë nga Ballkani. Interesi i lartë i tij për gjeografinë dhe udhëtimet ishte bërë i ditur gjerësisht aq sa perandori Napoleoni III e dërgoi Lëzhanin në një ekspeditë në burimet e Nilit në vitin 1860.

Kthimi i tij në Francë përkon me angazhimin e Perëndimit për të eksploruar Turqinë Evropiane, Ballkanin e sotëm, pak të njohur deri në atë kohë, ndërkohë që Perandoria Osmane kishte filluar të lëkundej e të bëhej pre e lakmisë territoriale të Fuqive Perëndimore.

Lëzhan i drejtohet me një kërkesë Ministrisë së Arsimit Publik dhe të Kulteve në gusht të vitit 1856, shoqëruar nga një projekt ambicioz, i bazuar në nevojën imediate të kohës për të poseduar harta të sakta të Evropës Juglindore. Ai synonte eksplorimin e zonës nga Deti i Zi deri në Detin Adriatik, e finalizimin me harta të hollësishme për gjeografinë fizike, gjeologjinë, etnografinë, arkeologjinë, historinë, statistikën dhe rrugët e komunikimit të rajonit.

Mes etapave të udhëtimeve që fillojnë nga Danubi i poshtëm në Vjenë drejt Shumlës, Veriu i Ballkanit, Sofje, Mali i Zi, Lëzhan shprehet për rajonin fqinj “të banuar nga shqiptarët e Këlmendit” se është i një rëndësie të madhe nga pikpamja gjeografike fizike e etnografike, dhe prandaj është diçka që duhej zbuluar në terren.

Pjesë e argumentimit të projektit është edhe vëmendja ndaj Blatos (Liqeni i Shkodrës) dhe rruga e jugut të Ballkanit ose e Shqipërisë që çon drejt Liqenit të Ohrit dhe pellgut të Vardarit, i vyer për gjeografinë historike.

Gijam Lëzhan u ngarkua nga Qeveria franceze me gjashë misione gjatë të cilave e përshkoi pesë herë vargmalin e Ballkanit. Projekti mbeti i papërfunduar për shkak të vdekjes së parakohshme të tij, po ashtu edhe shkrimet e papërmbledhura. Shumë punime hartogrfaike me autorësinë e tij kanë humbur.

Një pjesë e artikujve dhe punimeve të botuara më parë në revista shkencore janë përmbledhur për herë të parë në librin Udhëtime në Ballkan (1857-1870), Guillaume Lejean. Nga këto shkrime rezulton se ka vizituar rajonin e Veriut shqiptar në vitet 1858, 1869, tridhjetë vite pas patriarkut të Ballkanologjisë, Ami Buesë.

Në eksplorimet e tij udhëhiqet nga gjeografët e antikitetit, prandaj edhe në vështrimin e tij gjithëpërfshirës prej gjeografi-hartograf ai sheh akoma në përdorim rrugët romake. Zotëron latinishten dhe greqishten, por jo gjuhët vendase e as turqishten, çfarë përben një handikap të tij, duke qenë i varur nga dragomanët apo eruidtët poliglotë vendas. I referohet për ndihmë konsujve francezë në Shkodër, Hekar dhe Emile Vieti.

Vëzhgimet e tij janë të një udhëtari që nuk qendron më gjatë se disa ditë në një vend. Ka një penë ndryshe për publikun e gjerë nga ajo me të cilën i drejtohet qarqeve shkencore. Është rrëfimtar i këndshëm, di të portretizojë personazhet, t’i sjellë me ndjeshmëri mundimet e udhëtarëve, të konturojë peizazhet.

Le të ndjekim intineraret e Lëzhanit bazuar në shkrimet e tij mbi Shqipërinë e Veriut.

Shkodra, Pamja e Liqenit dhe e Luginës

Itinerari që po ndjekim në Shqipërinë e Veriut i përket udhëtimit të dytë në Ballkan të ndërmarrë nga Lëzhani në gusht-shtator 1858. Për shkak të situatës së trazuar në rajon perimetri i këtij udhëtimi ishte i ngushtë, Kroaci-Shqipëri-Mali i Zi-Bosnje Hercegovinë.

Lëzhan niset nga Dubrovnik (Raguza) me një vapor Lloyd drejt Barit (Antivari) dhe udhëton drejt lindjes në malet e fiseve autonome. Ndjek rrugën e lashtë me destinacion Shkodrën, në segmentin fundor të së cilës e shoqëron rrjedha e lumit Buna (Bojana), pjesërisht i lundrueshëm, pasi “përballë fshatit Obot [Hoboti], ishte një breg rëre ku uji nuk ishte kurrë më shumë se tre metra i thellë që bllokonte pothuajse të gjithë lundrimin”.

Ballafaqimi i parë me Shkodrën është dinjitoz: “pamë një kodër të veçuar që ngrihej përpara nesh, e kurorëzuar me një kështjellë të madhe veneciane. E njoha lehtësisht pa e parë ndonjëherë. Ishte Rozafa idilike, kalaja historike e Shkodrës”, në këmbët e së cilës përshkoi qendrën tregtare të njohur si Pazari.
Të nesërmen në mëngjes së bashku me zotin Robert, shkojmë tek kodra, një observator fort i bukur që më lejon të rrok tërësinë e vendit me një të hedhur të syve…

Kodra e Tepes (foto Fatjona Troshani)

Përshkrimi i autorit është një burim i çmuar për një guidë turistike, pasi ofron një kombinim të vëzhgimeve vizuale dhe ndjesive, të cilat mund të pasurojnë përvojën e vizitorëve. Siç e pa udhëtari i shekullit XIX, ashtu edhe sot nga Kodra (është fjala për Kodrën e Tepes) ofrohet një pamje e mrekullueshme, që detajohet në elementet kyçe të interesit të vrojtuesit, studiuesit, shkrimtarit në këtë rast.

Kodra si Destinacion

Përshkrimi i Lezhanit e dikton Kodrën si një vend që duhet vizituar për pamjet që ofron:
Rreth nesh shtrihet një rrafshinë prej 27 legash gjatësi dhe gjersi të ndryshme, që ndjek në përgjithësi rrjedhën e lumit Moraça, liqenin dhe Bunën deri në det. Sukat e Kodrës dhe Rozafa formojnë në këtë rrafshinë një gjerdan të vogël lartësish skistoide krejtësisht të veçuara. Duke vështruar verilindjen ke përpara pamjen e bukur të liqenit që përfundon në formë koni drejt Malit të Zi, malet e larta të të cilit pluskojnë në mjegullën e mëngjesit.
“Në të djathtë një varg malesh më afër njeri tjetrit dhe më të dukshëm, tregon shpatet e veta të mbuluara me pyje ku banojne fiset baritore dhe gjysmë të pavarura të quajtura Shtatë Bajraqet. Mali i Cukalit, më jugori ndër këto maja, lë të vëresh të çarën e thellë ku rrjedh Drini, që ndahet nga masivi i copëzuar dhe i murmë i Mirditës.”

Taraboshi dhe rrafshina verilindore parë nga Tepe
(foto Fatjona Troshani)

Në thelb, ky përshkrim nuk është thjesht një pamje, por një portë drejt një historie dhe kulture të pasur, e lidhur ngushtë me peizazhin natyror. Një guidë e mirë turistike mund ta shfrytëzojë këtë përshkrim për ta bërë vizitën më kuptimplotë. Fusha e shtrirë, 27 lega e gjatë jep një ndjenjë të hapësirës dhe madhështisë. Guida mund të shpjegojë rëndësinë gjeografike dhe ekonomike të kësaj fushe.

 

Lumi Moraça, Liqeni i Shkodrës dhe Buna. Përshkrimi i lidh këto elemente natyrore në një panoramë të vetme. Guida mund të ofrojë informacion të detajuar për secilin prej tyre, si edhe për aktivitetet që mund të bëhen (lundrim, peshkim, vrojtim zogjsh) dhe rëndësinë e tyre ekologjike dhe historike.
Liqeni, i njohur si Blato nga sllavët dhe Liqeni nga shqiptarët, shtrihet si një pasqyrë e qetë, e kufizuar në perëndim nga një kreshtë gri, kodrat e fundit të së cilës zbulojnë kepa shkëmbore dhe disa fshatra peshkatarësh. Në lindje, fusha e banuar nga Buza e Ujit dhe Hoti përfundon me një pjerrësi aq të butë saqë vështirë dallohet kufiri mes ujit dhe tokës – toka shndërrohet në fusha gjatë verës dhe moçalishte gjatë dimrit.
Këtu ndeshemi me traditat e vjetra liqenore, të ngjashme me ato të Greqisë së Lashtë dhe vendeve moderne kelte. Banorët vendas thonë se liqeni nuk ka qenë gjithmonë kaq i madh dhe se në bregun lindor dikur shtrihej një fushë e mbuluar me fshatra, e quajtur Fusha e Proneve. Pas një tërmeti që dëmtoi zonën, kjo fushë u zhduk nën ujë dhe të moshuarit shtojnë se kur uji është i qetë, mund të shihen rrënojat e shtëpive dhe majat e pemëve në thellësi.

 

Kalaja e Rozafës e parë nga kodra e Tepes (foto Fatjona Troshani)

Majat e izoluara të Kodrës dhe Rozafës. Bashkimi i tyre në një “zinxhir i vogël” mund të përdoret për të krijuar një itinerar që i lidh të dyja, duke theksuar kontrastin dhe lidhjen mes tyre. Guida mund të eksplorojë historinë e Kalasë së Rozafës dhe rëndësinë e Kodrës si pikë vrojtimi.

Duke studiuar rrafshinën e bukur që quhet Rrafshina e Spahinjve, që shtrihet nga lumi deri në rrëzë të bregores që më shërbente si observator, pashë një lumë me ujëra lymore që fillonte nga bërryli i Drinit dhe derdhej në Kir, i cili vetë derdhej në liqen, fare pranë vendeve të peshkimit.

Pamja drejt Malit të Zi. Kjo mund të jetë një pikë kulmore për vizitorët, veçanërisht në një ditë të kthjellët. Ndjesia e kohës diellore, “mëngjesi” dhe “mjegullës së mëngjesit” krijon një atmosferë të caktuar. Guida turistike mund të sugjerojë vizitën në Kodër në orët e para të mëngjesit për të përjetuar të njëjtën ndjesi.

 

Kiri dhe Fusha e Spahinjve e parë nga Tepe (foto Fatjona Troshani)

Vargu malor i pyllëzuar. Përshkrimi i tij si “më afër dhe për rrjedhojë më i dukshëm” mund të nxisë vizitorët të eksplorojnë këto male, duke ofruar sugjerime për hiking në fshatra malore ose zona të tjera natyrore. Lidhja me elemente të tjera gjeografike si “Mali i Cukalit, më jugori ndër këto maja”, e pozicionon atë si një pikë referimi dhe mund të përdoret për orientim.

“Lë të vëresh të çarën e thellë ku rrjedh Drini”. Kjo është një pikë kyçe vizuale. Guida mund të theksojë pamjen e Grykës së Drinit, rëndësinë e lumit, dhe ndoshta të sugjerojë udhëtime me varkë ose vizita në pika panoramike që ofrojnë pamje të lumit.

“Që ndahet nga masivi i copëzuar dhe i murmë i Mirditës”. Ky përshkrim krijon një kontrast mes peizazheve. Guida mund të përshkruajë karakteristikat e Mirditës (terren i thyer, histori e veçantë) dhe të shpjegojë ndarjen gjeografike dhe ndoshta kulturore midis dy zonave.

 

Në guidë mund të përfshihet krijimi i një itinerari tematik. Bazuar në vendet e përmendura, mund të krijohen itinerare specifike. Një pjesë e guidës mund t’i kushtohet eksplorimit të zonës së Shtatë Bajraqeve, duke kombinuar vizita në fshatra me interes historik, shëtitje në natyrë dhe ndoshta takime me banorë lokalë.

Rruga e udhëtarit. Mund të ndiqen gjurmët e udhëtarit, duke vizituar vendet e përmendura dhe që kanë shënjuar kujtesën e Lëzhanit.

 

Lumi Vija e Vrakës

“[..]një përrua i kthjellët dhe i bukur, kjo luginë aq e gjelbër dhe aq e rrafshët nga larg, …ku shtretërit e përrenjve që hasim rrugës, na ofrojnë vetëm valëzimet e tyre prej rëre të një bardhësie verbuese.[..]”

Përshkrimi i lumit të kthjellët mund të shoqërohet me informacion mbi rëndësinë e tij dhe mundësinë për aktivitete pranë tij. “Crau” shqiptare, krahasimi i luginës me Krau franceze (lokaliteti ku bashkohen lumenjte Durance dhe Rhone, Provancë) është sjellë për të dhënë një ide të peizazhit të thatë dhe të gjelbëruar.

Përroi i Thatë

Teksa u drejtuam për nga grumbujt e shkëmbijve ndër më të bukurit, mbërritëm buzë një humnere të madhërishme katër këmbë të gjerë dhe me një gjatësi gjashtë deri në tetë lega: ishte një nga ato tmerre të bukura që e bëjnë turistin të harrojë shpejt të gjithë ato lodhje që ka hequr.

Bjeshkët e Namuna (foto Nënshati)

Pandehëm se ndodheshim në një pllajë shkumësi të mbuluar katër gisht nga një tokë bimore dhe nga një shi i vërtetë gurësh, por ajo ishte një hulli që e vë re vetëm kur ndodhesh aty dhe që zgjatej në mal, në lindje, deri në rrënjë të malit Bieskat të namune.

“Shtrati i tharë i përroit, [..] një shirit prej rëre të bardhë i cili gjarpëron përmes gjethnajës së dendur të drurëve që veshin muret e përroskës dhe lartojnë majat e tyre me një jeshile shndritëse…[..]”

“Zhgënjimi që pëson udhëtari, të cilin trajtat e përgjithshme të peizazhit e kanë bërë të shpresojë se do të gjejë një lumë të bukur me ujë të kulluar, nën ata drurë të bukur, por që, duke u përkulur mbi humnerë, sheh në fund vetëm valë të vogla rëre dhe blloqe shkëmbinjsh të rrokullisur nga ujërat, e bën të ndjejë më fuqushëm thatësinë e atij peizazhi të ngurtësuar.”

Ai është përroi i famshëm, Përroi i Thatë, me të cilin do të njihesha nga afër gjatë gjithë kohës, sepse do të më duhej të mos i ndahesha deri në Bogë.

Misteri i lumit që rrjedh vetëm një ose dy ditë në dhjetë vjet, vetëm kur në Bjeshkët e Namuna kishte rreshje të jashtëzakonshme, mund të ngjallë kërshëri për çdo turist ose studiues me interes gjeologjik.

 

Dedaj (foto Nënshati)

Jo më pak ndjellëse është Lugina e Dedajve, një shmangie nga lugina e Përroit të Thatë, dhe kërkimi i fosileve, aty ku Lezhani shpresonte t’i gjente në formën e një guroreje të vërtetë, sipas treguesit të zotit Viksent, por “mosnjohja e gjuhës shqipe më bëri të humb këtë të mirë të rënë nga qielli, që ndoshta banorët e fshatrave do të ma kishin treguar”. Sjellja në kujtesë e ekzistencës së fosileve mund të tërheqë vizitorë me interes për gjeologjinë dhe paleontologjinë.

 

“Po binte nata kur pamë të hapej para nesh një cirk [..], formuar nga dy apo tre përroska që hapeshin te Përroi ku çdo dimër derdheshin përronjtë e rrëmbyeshëm të shkaktuar nga shtrëngatat dhe shkrirja e dëborës. Ujërat e thithur lehtësisht nga dheu gëlqeror dhe poroz, kanë grumbulluar në këtë cekëtinë humusin e rrëmbyer nga shpatet e maleve dhe kanë rritur pjellorinë, e cila duket qartë nga bolleku i pazakontë i kulturave bujqësore, i drurëve frutorë, shegëve dhe rrushit të egër.”
Në fund të cirkut janë shpërndarë shtëpitë e bardha të fshatit Bërzela (Bzhetë), kryeqendra e fisit dhe për këtë e quajtur Shkrel në të gjitha hartat.
“Nuk ka gjë më të bukur për të parë sesa lugina e Bërzelës, sidomos në muajin maj, kur dëbora mbulon ende lartësitë fqinje dhe kur gjethnaja e errët e pyjeve që veshin të gjitha shpatet e thepisura spikat në të njëjtën kohë mes majave të bardha dhe gjelbërimit aq të ëmbël të bimësisë, që zgjohet në luginë.”

Peizazhi i Bogës

Ashtu si Berzela, edhe Boga gjendet në shtratin e një ish-liqeni, i cili u tha për shkak të mungesës së ujit në Pronin e Thatë. Lugina shfaq të njëjtën radhë të çuditshme shtresash horizontale, që tregojnë periudha të njëpasnjëshme thatësire. Fshati është i shpërndarë në bregun e djathtë të luginës, ndërsa një kishë e vetmuar ngrihet në anën tjetër.

Boga (foto Nënshati)

Përshkrimi i Bogës si shtrat i një ish-liqeni të thatë me shtresa horizontale mund të jetë një pikë tjetër turistike për relaksim në natyrë apo me interes gjeologjik. Kontrasti mes fushës së Shkodrës, zonave malore të pyllëzuara dhe luginave të kultivuara thekson diversitetin e peizazhit.

 

Përshkrimi i fiseve baritore dhe gjysmë të pavarura mund të shërbejë si shtysë për një itinerar me karakter historik, duke eksploruar historinë, traditat dhe organizimin e tyre shoqëror. Guida mund të përfshijë vizita në zona që lidhen me këto fise.

Përshkrimi i Fenomenit të Gjakmarrjes në Pulaj dhe Nikaj, megjithëse i rëndë, ofron një pasqyrë të realitetit social të kohës. Përshkrimi interesant i traditave fetare sinkretike në Koplik, devotshmëria e myslimanëve ndaj Shën Nikollës dhe Shën Gjergjit është një detaj unik që mund të theksohet për të treguar sinkretizmin fetar në rajon.

Përshkrimi i mikpritjes në Zagorë thekson një nga vlerat tradicionale të shqiptarëve. Historia e Çukës, bariut nga Shkreli që flet italisht dhe shërben si përkthyes i Lëzhanit, shembull i malësorit të integruar, dëshmon për lidhjet e zonës me botën e jashtme dhe aftësinë e njerëzve për t’u përshtatur.
“Një racë muskujsh dhe zemrash të hekurta”, i quan Lëzhan duke theksuar forcën, pavarësinë dhe qëndresën e popullsisë malësore.
Imazhi i barinjve, madje edhe të rinj, me pushkë, tregon për një kulturë ku arma ishte pjesë e jetës së përditshme. Kjo mund të shpjegohet në kontekstin historik të kohës. Tipologjia e malësorëve gegë, përshkrimi i tyre si të gjatë, të hollë dhe me fytyra krenare ilustron dallimet fizike dhe kulturore mes banorëve të zonave malore dhe atyre të qyteteve.
“Ajo që më bëri përshtypje që në fillim qe karakteri antik [..] i të gjithë malësorëve.[..] gjeta një popull që nuk duket se ka ndryshuar që nga koha e Herodotit. [..] zakone që nuk kanë ndryshuar që nga koha e Seuthëve apo Hersobleptëve.”

“Vetë emrat e përveçshëm e theksojnë mirë këtë gjendje të gjërave. [..] emrat paganë gëlojnë. Di gjithë ata luftëtarë shumë trima që quhen Bibë dhe Lepuri. Gratë quhen Kuqja, Bjeshka, Lula, Prena, emra piktoreskë,[..]”

Pjesë tërheqëse të cituara nga teksti i Lëzhanit, tregimet e udhëtarit mund të përdoren për të ilustruar aspekte të kulturës dhe historisë lokale në të shkuarën, duke treguar ndryshimet dhe vazhdimësitë përmes krahasimeve me realitetin e sotëm.

Rikthim në Vitin 1869: Shkodra dhe Alpet Shqiptare

Grabom (foto Nënshati)

“E ndërmora Shkodrën si qendër të ndërmarrjeve të mia topografike dhe fillova me një ekskursion parapërgatitor në veriperëndim. Ne fillim u nisa pergjatë liqenit në drejtim të Kastratit, prej andej në drejtim të Hotit ngjita luginën e thellë e të gërryer nga Cemi, deri në Grabom dhe ndoqa këtë luginë duke u ngjitur deri në ndarjen e ujrave të Perdelecit; prej andej zbrita në luginën e Gernçarit, që më çoi ne Guci.”

Qafa e Bordolecit (foto Nënsahati)

“Një orë më larg arrita majen e rrafshnaltës të shënuar nëpër harta si Prokleti (E Nemuna). Nga buza jugore e rrafshanaltës që bie pingul mbi luginën e Shalës arrita nëpërmjet një shtegu të frikshëm deri në Okol, kryeqendra e luginës së lartë të Shalës. Të nesërmen ju kacavora nëpër një shteg tërë zigzage Soresit (Thores), dhe pas një zbritje prej dy orësh arrita në Bogë. Kalova përmes malit një grykë të gjatë e quajtur Perroi i Thatë. Ai më çoi në rrafshinën pranë Zagorës, nga u ktheva përmes Koplikut në Shkodër.”

Duke e përdorur këtë tekst si një kornizë, një guidë turistike mund të krijojë një përvojë të pasur dhe të larmishme për vizitorët që dëshirojnë të eksplorojnë Shkodrën dhe Alpet Shqiptare. Pikënisja dhe përfundimi në Shkodër, ashtu siç e përdori Lëzhani.

Itinerari i autorit (Shkodër – rruga buzë Liqenit të Shkodrës – Kastrat – Hot – Lugina e Cemit – Grabom – Perdeleci – Lugina e Gernçarit – Guci – Bjeshket e Namuna – Okol – Sores – Bogë – Perroi i Thatë – Zagora – Koplik – Shkodër) mund të shërbejë si bazë për një tour të organizuar ose një sugjerim për udhëtarët aventurierë. Ai thekson diversitetin gjeografik dhe natyror të rajonit, liqen, lugina të thella, gryka të ngushta, rrafshnalta malore dhe fusha. Përshkrimi i Luginës së Cemit si “e thellë dhe e gërryer” mund të nxisë vizitorët të eksplorojnë këtë luginë dhe të mësojnë për formimin e saj gjeologjik.

Shtegu i Okolit (foto Nënshati)

Ndarja e ujërave të Perdelecit nxit kërshërinë ndaj saj si një zonë e rëndësishme hidrologjike. “Prokleti” (E Nemuna), përfshirja në intinerar i kësaj rrafshnalte me emrin e saj evokues thekson dramacitetin e peizazhit dhe nxit ta vizitojnë (me paralajmërime për vështirësitë e terrenit). “Shtegu i frikshëm për në Okol”, ky detaj mund t’u bëjë thirrje udhëtarëve aventurierë dhe të theksojë karakterin e izoluar të luginës së Shalës.

 

Itinerari nuk nxit vetëm për të shijuar mrekullitë natyrore por dhuron edhe mjaft adrenalinë përmes aktivitete të ndryshme si hiking dhe ngjitje malore (ngjitje në luginë, kacavjerrje nëpër shtigje zigzage dhe zbritje nga rrafshnalta), eksplorimi i luginave (Cemi dhe Shala ofrojnë mundësi për eksplorim dhe zbulim të fshatrave dhe kulturës lokale), vizita në fshatra (Grabom, Guci, Okol, Bogë, Zagora dhe Koplik mund të jenë pika ndalese për të përjetuar jetën lokale dhe mikpritjen).

 

Qafë Thore (foto Nënshati)

Guida bazohet në përvojën e një udhëtari të hershëm, duke ofruar një perspektivë historike mbi zonën. Krahasimi i peizazheve dhe kushtet e udhëtimit të përshkruara nga autori me ato të sotmet, dëshmojnë për ndryshimet dhe vazhdimësitë.

Një hartë që ndjek rrugën e autorit mund të jetë një element vizual i dobishëm. Për çdo vend të përmendur, guida mund të ofrojë informacion shtesë mbi historinë, kulturën, natyrën dhe mundësitë e vizitës, këshilla për udhëtarët që dëshirojnë të ndjekin të njëjtën rrugë (pajisjet e nevojshme, transporti, akomodimi, siguria).