Kurt Hassert (1868–1947), gjeograf dhe hartograf gjerman, i njohur për eksplorimet në Polin e Veriut, Afrikë dhe Ballkan, ndërmori një udhëtim të rëndësishëm në Shqipërinë e Veriut në verën e vitit 1897.
Shqipëria tërhoqi vëmendjen e tij për peizazhet e egra, strukturën gjeologjike të veçantë dhe shoqërinë tradicionale malësore.
Baza e tij ishte Shkodër, prej ku organizoi nëntë ekskursione, përmes maleve, luginave dhe qyteteve të Veriut dhe Kosovës. Hassert është një udhëtar që bashkon vëzhgimin natyror me përshkrimin e kulturës lokale, ndonëse më i fokusuar tek elementet natyrore dhe gjeografike, duke ruajtur një stil rrëfimtar që mund të përdoret lehtësisht në guidat e sotme turistike.
Për Hassert-in, Shqipëria e Epërme përbënte një nga rajonet më të izoluara të asaj kohe në Europën Otomane. Ai vëren se asnjë vijë bregdetare nuk depërton thellë në brendësi, gjë që e bën udhëtimin një sfidë më vete. Për të hyrë në këtë hapësirë të thellë malore, udhëtari detyrohej të kalonte vargmale të njëpasnjëshme, duke kaluar shpeshherë dy ose më shumë qafa malore brenda një dite. Hassert e përshkruan këtë rrjet të ndërlikuar malesh si pjesë e Alpeve Dinarike[1], sipas terminologjisë së përdorur në gjeografinë e kohës, ku përfshiheshin edhe Bjeshkët e Nemuna, të njohura sot si Alpet Shqiptare. Me identitetin e tyre të veçantë Alpet Dinarike, paraqiten si një rrjet i ndërlikuar luginash, grykash dhe male të larta, ku çdo ngjitje e lodhshme pasohet nga zbritje po aq rraskapitëse përmes shpateve të mbuluar me shkurre. Për Hassert-in, ishte një vend ku njeriu dhe natyra, së bashku, e sfilitin udhëtarin si fizikisht, ashtu edhe mendërisht.
Pikërisht për këtë arsye, ai dhe ekipi i tij, pasi siguruan autorizimet dhe mbështetjen zyrtare, vendosën ta përdornin Shkodrën si bazë dhe ta ndanin udhëtimin në nëntë ekskursione të veçanta — disa të shkurtra e disa të gjata — që të mund ta përballonin më lehtë sfidën e peizazhit shqiptar.
Ne kemi zgjedhur te paraqesim njerin nga keta itinerare.
Itinerari në Malin e Cukalit (15-17 qershor 1897)
Udhëtimi drejt Malit të Cukalit përfaqësonte një nga eksplorimet më të plota të Hassert-it në krahinat përreth Shkodrës. Grupi u nis më 15 qershor nga qyteti, duke kaluar përmes fushave të mbuluara me fier dhe duke ndjekur një nga lugjet anësore të lumit Kir, ku vërejtën formacione shkëmbore shumëngjyrëshe.(foto 1) Pyjet e zonës shfaqeshin të dendura, me gështenja dhe lis në zonat më të ulëta, e më lart me ah. Pas një kalimi të lodhshëm përmes kreshtës së ngushtë të Malit të Cukalit, grupi zbriti në një lug të thellë ende të mbuluar nga dëbora, ku ngritën kampin në një hapësirë të izoluar. Nga prania e mundshme e arinjve dhe ujqërve, nata kaloi në gatishmëri të plotë. Mëngjesin tjetër, në temperatura të ulëta, nisën një ngjitje të vështirë që i çoi fillimisht në majën e Maja e Mylesifës, prej ku u shfaq një panoramë mbresëlënëse e Alpeve Shqiptare dhe maleve të Jugut. Më pas arritën edhe në majën kryesore të Malit të Cukalit (1.841 m), duke përjetuar të gjithë madhështinë e natyrës së egër shqiptare. Pas një nate në fshatin Vukaj, grupi u kthye në Shkodër në ditën e tretë, duke ndjekur të njëjtën rrugë kthimi.
Maja e Mylesifës

Maja e (Mulesifes) Muleqithit
Marre ne
https://www.wikiloc.com/hiking-trails/maja-e-muleqithit-7263044/photo-4124192
Emërtimi “Maja e Mylesifës”, i përdorur nga Kurt Hassert nuk është e dokumentuar në hartat zyrtare moderne dhe nuk gjendet në burimet e toponimisë lokale të rajonit të Cukalit. Është e mundur që ky ka qenë një emërtim lokal i përkohshëm, një deformim fonetik i perceptuar nga autori gjerman, ose një variant i emërtimit të ndonjë prej majave ose shpatëve të këtij masivi. Për këtë arsye, në tekst është përdorur si toponim i shënuar në kujtimin e udhëtarit, jo si emërtim gjeografik i fiksuar. Krahasimi i këtij përshkrimi me hartat bashkëkohore, si dhe me itineraret malore të përdorura sot nga alpinistët dhe studiuesit e zonës, tregon se kjo qafë korrespondon me atë që aktualisht njihet si Qafa e Muleqithit. Kjo përputhje dëshmon një evolucion të natyrshëm të toponimisë lokale, ku ndryshimet fonetike dhe mungesa e një standardizimi të qëndrueshëm historik kanë çuar në përdorimin paralel të dy formave për të njëjtin vendkalim.
Maja e Cukalit
Maja e Cukalit është maja më e lartë e Malit të Cukalit, një masiv malor që shtrihet në veri të qytetit të Shkodrës, në kufirin midis krahinës historike të Postrribës dhe ultësirës së lumit Kir. Maja ndodhet në një linjë gjeografike midis luginës së Kirit në lindje dhe fshatrave të Postribës në perëndim dhe jugperëndim. Maja e Cukalit arrin 1841 metra mbi nivelin e detit (sipas hartave topografike shqiptare dhe burimeve gjeografike ndërkombëtare). Kjo e bën atë një nga pikat më të larta në veriperëndim të Shqipërisë, jashtë sistemit të Alpeve Shqiptare (Bjeshkët e Namuna), dhe një pikë vrojtimi strategjike. Maja është pjesë e një kreshte të gjatë dhe të theksuar, me shpatet që bien thikë nga lindja drejt luginës së Kirit dhe më butë në drejtim të Postrribës. Karakterizohet nga pyje të dendura në shpatet më të ulëta (lis, gështenjë, ah),shpatet e zhveshura shkëmbore në pjesën e sipërme, kullota alpine rreth dhe mbi vijën e pyllëzimit.
Nga Maja e Cukalit, ofrohet një panoramë jashtëzakonisht e gjerë: në veri dhe verilindje: Alpet Shqiptare (majë Jezerca, Maja e Hekurave, etj.); në jug: Shkodër dhe ultësira e saj, Liqeni i Shkodrës dhe rrjedha e Bunës; në perëndim: kodrat e Postrribës dhe deri në ultësirën e Lezhës; në lindje: lugina e Kirit, dhe më tej drejt maleve të Pukës. Për Hassert-in, kjo majë shënonte një pikë vrojtimi gjeografik dhe emocional, nga ku kuptohej më mirë relievi kompleks i Shqipërisë së brendshme.

Pamje nga lagjja Muri i Turkut në fshatin Vukaj
Marre nga www.facebook.com
Krahina e Shllakut – Shkoder
January 6, 2021
Fshati Vukaj ndodhet rreth 25-30 km në veri të qytetit të Shkodrës, në rrjedhën e sipërme të lumit Kir. Fshati Vukaj, që në disa burime etnografike apo në përshkrime të hershme përmendet si pjesë e krahinës së Postribës, i përket sot, sipas ndarjes administrative zyrtare, njësisë Administrative Shllak (Bashkia Vau i Dejës). Ky dualitet në përmendje pasqyron ndryshimet ndërmjet kufijve tradicionalë krahinorë dhe ndarjes aktuale administrative. Për rrjedhojë, në dokumentet historike ose në literaturën e udhëtarëve si Kurt Hassert, që kanë përshkruar këto zona në fund të shekullit XIX, mund të hasim referenca ndaj Vukajve si pjesë e Postribës së sipërme, ndërsa në kuadrin bashkëkohor institucional fshati është pjesë e Shllakut. Ndodhet në shpatet jugperëndimore të Malit të Cukalit në një terren tipik kodrinor-malor. Në kohën e Kurt Hassert-it (1897), zona ishte e vështirë për t’u arritur: rrugët ishin shtigje këmbësorësh ose për kafshë ngarkese. Sot fshati është i lidhur me rrugë rurale me qendrën e Postrribës dhe me Shkodrën. Ky fshat i vjetër përmendet në regjistrime osmane dhe më pas në dokumente të administratës shqiptare. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të XX, ishte pjesë e një territori me strukturë fisnore, e lidhur me bajrakun e Postrribës. Fshati ka qenë pjesë e udhëtimeve etnografike të shumë autorëve shqiptarë dhe të huaj. Sipas të dhënave të ndryshme demografike, popullsia e Vukajt ka rënë në mënyre drastike për shkak të emigrimit. Për udhëtarët e kohës, fshatrat si Vukaj kishin rëndësi si stacione pritjeje: ofronin strehim, ushqim tradicional dhe njëfarë sigurie pas etapave të lodhshme në terrenet alpine. Fshati është i rrethuar nga një peizazh i bukur natyror: pyje të gështenjës dhe lisit në zonat më të ulëta, kullota verore në zonat më të larta, shpella dhe burime ujore në afërsi, që kanë qenë të njohura për përdorim lokal. Fshati ka ruajtur për një kohë të gjatë veçori të kulturës gojore, këngë epike, legjenda lokale që lidhen me malet përreth (p.sh. për Malin e Cukalit dhe shpellat e zonës). Ka qenë pjesë e zonave ku Ligji i Kanunit ka pasur një prani të fortë deri në mesin e shekullit XX.
Në gjurmët e Hassert-it si mund të përjetohet sot ky udhëtim?
Itinerari i ndërmarrë nga Kurt Hassert në qershorin e vitit 1897, drejt Malit të Cukalit dhe Majës së Mylesifës, mbetet edhe sot një nga udhëtimet më të bukura dhe më sfiduese që mund të përjetohet në rrethinat veriore të Shkodrës. Edhe pse peizazhi përreth ka ndryshuar në disa drejtime, natyra e egër e kësaj zone, malet me kreshta të thyera dhe lugjet e thella, ruajnë ende atë frymë të paprekur që Hassert-i e përshkruante me entuziazëm.
Një udhëtim i tillë do të niste sot, ashtu si atëherë, nga qyteti i Shkodrës. Rrugët e sotme e bëjnë të mundur që me një udhëtim të shkurtër me makinë të arrihet në luginën e lumit Kir — një nga më të bukurat e Shqipërisë veriore. Shkëmbinjtë e ngjyrosur dhe rrjedha e kristaltë e lumit ofrojnë një hyrje mbresëlënëse në këtë botë malore.
Nga këtu, shtegu i dikurshëm i karvanëve, sot një rrugë e përdorur nga barinjtë dhe alpinistët, të çon ngadalë drejt shpatit të Malit të Cukalit. Pyjet e dendura të lisit, gështenjës dhe më lart të ahut e shoqërojnë ngjitjen, ashtu siç i kishte parë edhe Hassert-i. Pas disa orësh ecjeje, mbi vijën e pyllit shfaqet një nga pikat më të bukura të rrugëtimit, ajo që dikur Hassert e quante Maja e Mylesifës (Muleqithit) Nga kjo majë, shikimi hapet në horizont: përballë ngrihen madhështore Alpet Shqiptare, ndërsa në jug shtrihet ultësira e Shkodrës dhe, në ditët më të kthjellëta, edhe bregu i Bunës. Nëse Hassert-i dhe shokët e tij ngritën kampin në një lugë të mbuluar ende nga dëbora, sot ky vend do të ofronte një përvojë të rrallë për dashamirësit e natyrës — një natë me kamping nën yjet e maleve shqiptare. Dita e dytë do t’i çonte vizitorët drejt Majës së Cukalit, pika më e lartë e masivit (1841 m), nga ku panoramat janë edhe më madhështore. Për sa i përket aksesibiliteti sot maja mbetet relativisht e izoluar. Për ngjitjen nevojiten: transport me makinë 4×4 deri në zonat bazë (fshatrat Plan, Prekal, Vukaj); ngjitje në këmbë rreth 3-5 orë, në varësi të shtegut të zgjedhur. Rruga është e përshtatshme për alpinistë me përvojë ose për grupe të udhëzuara.
Maja e Cukalit ofron mundësi për alpinizëm, shëtitje panoramike, vëzhgim të natyrës dhe kamping. Mund të kombinohet në itinerare me: luginën e Kirit, fshatrat e Postrribës, të ashtuquajturën Majën e Mylesifës,
Pas një qëndrimi në majë, itinerari zbret drejt fshatit Vukaj, një vendbanim i vogël malor, ku ndalesa për natën është mundësi për të prekur nga afër jetën tradicionale të Postrribës. Familjet mikpritëse, rrëfimet e banorëve dhe ushqimi i thjeshtë por i shijshëm, do të krijonin një lidhje të gjallë me frymën e vendit. Udhëtimi do të përmbyllej të nesërmen, me një kthim të qetë drejt Shkodrës, nëpër rrugë tashmë më të njohura për vizitorin që ka ndjekur gjurmët e një udhëtari të shekullit XIX dhe ka përjetuar, qoftë për disa ditë, bukurinë e asaj Shqipërie të “lartë dhe të egër”, që mbetet ende sot një nga thesaret më të ruajtura të Ballkanit.
[1] Në tekstin e vet, Kurt Hassert përdor termin Dinaric Alps / Dinarische Alpen për të përshkruar vargun e maleve që shtrihet në pjesën më të madhe të brendësisë së Shqipërisë së Veriut dhe të rajoneve përreth. Ky ishte një konvencion gjeografik i përdorur në Europën qendrore dhe perëndimore në fund të shekullit XIX — në atë kohë shumë gjeografë gjermanë dhe austriakë e shihnin si të natyrshme ta shtrinin emrin Alpet Dinarike (që nga Alpet Juliane në veri, përgjatë Malit të Zi, Bosnjës, deri në Alpet Shqiptare). Në fakt, sot bëhet një dallim më i qartë:. Alpet Dinarike përshkruajnë kryesisht vargmalet nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, dhe shtrihen deri në Shqipërinë veriore. Alpet Shqiptare (ose Bjeshkët e Nemuna) konsiderohen nën-varg i Alpeve Dinarike, por me identitet të veçantë gjeomorfologjik.






