• Home
  • /
  • Itinerare
  • /
  • Fortifikime prehistorike dhe mesjetare në të majtë të lumit Buna

Fortifikime prehistorike dhe mesjetare në të majtë të lumit Buna

Sipas Ermanno Armao, Località, chiese, fiumi, monti e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, Romë, 1933.
“Çdo emër fshati, çdo kishë në rrënoja, çdo urë e thyer rrëfen një histori të lashtë që meriton të dëgjohet.”

Studiues, orientalist, hartograf dhe njohës i thellë i kulturës shqiptare, Armao (1887–1960) iu përkushtua me pasion dhe rreptësi shkencore dokumentimit të territorit të Shqipërisë së Veriut. Ai hyri në karrierën konsullore italiane në vitin 1912 dhe deri më 1940 mbajti poste në Antalya, Kordova, Shkodër, Boston, Stamboll dhe Këln.

Veçanërisht i rëndësishëm është kontributi i tij hartografik dhe toponomastik i lidhur me qytetin e Shkodrës, seli e përfaqësive historike diplomatike italiane. Armao, i frymëzuar nga vepra e hartografit venedikas Vincenzo Coronelli, analizoi thellësisht hartën e titulluar Corso delli fiumi Drino e Boiana (Venezia, 1688). Fruti i këtij studimi është publikimi Località, chiese, fiumi, monti e toponimi varii di un’antica carta dell’Albania Settentrionale, botuar në Romë në vitin 1933 dhe më pas përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Në këtë vepër, Armao krahason të dhënat e hartës së shekullit XVII me territorin bashkëkohor, duke vërejtur me habi përputhjen e shumë informacioneve, çka dëshmon saktësinë e burimeve historike dhe qëndrueshmërinë e disa toponimeve ndër shekuj. Kjo është dëshmi e një pune me të vërtetë shkencore, por edhe e dëshirës për të njohur dhe zbuluar vendin tonë. Dy venedikas, Armao dhe Coronelli, si për të na kujtuar marrëdhëniet mes Shkodrës dhe Venedikut.

Vepra e Armaos hapet me përshkrimin e momentit kur ai njeh ekzistencën e hartave dhe informacionit të mbledhur nga Coronelli. Pasi ekspozon veprat dhe kërkimet ekzistuese për territoret shqiptare, Armao paraqet mënyrën sesi ka vepruar. Fillimisht, verifikon informacionet nga hartat e Coronellit, duke theksuar lehtësinë me të cilën i konfirmoi, pasi shumica e territoreve të përshkruara ruanin ende të njëjtat karakteristika.

Qasja e Armaos nuk ishte vetëm teorike: ai udhëtoi vetë në këmbë për të konfirmuar personalisht vendet, kishat, malet dhe lumenjtë e përmendur nga Coronelli, duke korrigjuar mospërputhje tw mundshme. Ai tregoi gjithashtu kujdes të veçantë ndaj transkriptimit dhe fonetikës së emrave shqiptarë, duke analizuar me kujdes veçoritë fonemike si /q/, /ç/, /gj/, /xh/ dhe duke paraqitur variantet e tyre të italianizuara (p.sh. Shirqi → Sirichio; Gjadri → Giadri).

Studimi i tij mund të kuptohet edhe si një lloj regjistrimi simbolik: pranë emrave të fshatrave, Armao vendos simbole fetare (kryq ose hënë) për të treguar fenë mbizotëruese, duke sugjeruar një analizë sociale të territorit. Lista e kishave, familjeve dhe veçorive gjeografike ofron një panoramë të plotë të Shqipërisë së Veriut të asaj kohe.

Armao paraqet punën e tij i bindur se, për të njohur një popull, banorët dhe historinë e tyre, duhet gjithmonë t’i referohesh hartave gjeografike dhe se vetëm përmes kërkimeve sistematike mund të orientohesh në detin e informacionit. Autori, shumë modest, nga njëra anë shpreson që libri të mirëpritet nga lexuesit dhe studiuesit, shqiptarë dhe të huaj, dhe nga ana tjetër, nënvizon kënaqësinë që ndjen për faktin që solli në dritë një hartë të lashtë, zhvilloi një punë kërkimore dhe njohu më mirë tokën shqiptare.

Botimi i Armaos duhet kuptuar si një dëshmi e dëshirës për të njohur dhe kuptuar territorin ku ai vetë jetonte. Nëpërmjet publikimeve të tilla, të huajt – italianë apo të tjerë – hynin në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën dhe njëkohësisht njihnin mundësitë që ajo ofronte. Në fakt, shkëmbimet kulturore dhe kërkimet në terren janë mjetet më të përshtatshme për të njohur dhe vlerësuar njëri-tjetrin.

Duke u bazuar në botimin e Armaos, mund të hartohen disa itinerare për t’u ofruar të huajve dhe shqiptarëve që duan të eksplorojnë vendin tonë në kërkim të historisë dhe natyrës.
Itinerari që propozojmë është ai i fortifikimeve prehistorike dhe mesjetare në të majtë të lumit Buna.

Itinerari: Fortifikimet Prehistorike dhe Mesjetare

  • Fortifikimi Prehistorik i Beltojës (Baltogna)

Siti i fortifikuar ilir i Beltojës, i vendosur në jug të Shkodrës, është një vend arkeologjik i njohur edhe si “Qyteza e Beltojës”, që përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të arkitekturës mbrojtëse dhe organizimit territorial të fiseve ilire, në veçanti të Labeatëve. Ky vend ndodhet mbi një lartësi shkëmbore prej 168 metrash, në një pozitë strategjike që dominon fushën përreth dhe rrugët natyrore që lidhin brendësinë e vendit me bregdetin Adriatik.“… që sheh nga fusha e Drinasës dhe e Trushit…” (Armao, 1933:41)

Në studime të ndryshme përshkruhen morfologjia e vendit, tipi i fortifikimit dhe materialet e gjetura, duke theksuar se Beltoja ishte pjesë e një sistemi të koordinuar vendbanimesh të fortifikuara, së bashku me vende të tjera si Ganjolla dhe Gajtani. Përmes rilevimeve topografike, kërkimeve në terren dhe analizave krahasuese, është vërtetuar se vendi i përket epokës së hekurit dhe ka qenë i banuar në mënyrë të vazhdueshme edhe në periudhat klasike dhe helenistike. Theksohet gjithashtu funksioni mbrojtës, por edhe roli i mundshëm ekonomik dhe simbolik i vendbanimit. Në këtë mënyrë kontribuohet në njohjen e urbanizimit protoshqiptar në Shqipërinë e veriut dhe në debatin mbi rrjetin e vendbanimeve ilire në lidhje me kontekstin ballkanik.

Vendi ndodhet rreth 25 kilometra nga Shkodra dhe edhe sot mund të admirohen:

  • muraturat dhe kullat, duke ecur mes të cilave dallohet struktura e fuqishme mbrojtëse mesjetare;
  • peizazhi rural përreth që fton në reflektim për marrëdhënien ndërmjet njeriut, mbrojtjes dhe mjedisit;
  • pamja spektakolare mbi grykën e Bunës, luginën dhe detin në horizont.

Gjithë kjo mund të shërbejë si sfond për krijimin e një spoti të shkëlqyer fotografik me pamje mbresëlënëse, pa grumbullimet e zakonshme të vendeve më të njohura fortifikuese.
Shënim: Mos harroni dylbinë për të vëzhguar morfologjinë e grykës dhe lundrimin mbi lumë.

  • Fortifikimi Mesjetar i Belajt (Belagni)

“… Buna çan rrugën përmes kodrave duke krijuar atë që njihet si ‘gryka e Belajt’, e gjerë vetëm 1000 metra, ku lumi mund të kalohet në këmbë dhe ku në vitin 1477 ndodhi një betejë detare mes venecianëve dhe turqve” (Armao, 1933:43)

Pozicioni strategjik i Belajt, në grykën me të njëjtin emër që lidh lartësitë e Belajt dhe Fraskanjelit, e ka bërë këtë vend një pikë të rëndësishme kontrolli të trafikut lumor që nga lashtësia. Burime veneciane, turke dhe shqiptare dëshmojnë për ekzistencën e një fortifikimi, ndoshta që nga koha e Balshajve (fundi i shekullit XIV), i cili pati një rol kyç gjatë dy rrethimeve të Shkodrës në vitet 1474 dhe 1478–79. Burime të ndryshme, përfshirë edhe raportet e kronikanëve si Gjergj Merula, konfirmojnë se fortifikimi u pushtua nga turqit në vitin 1474, u përforcua dhe u ruajt edhe në dekadat që pasuan, me qëllim të kontrollit të lumit Buna dhe ndalimit të ardhjes së përforcimeve veneciane drejt qytetit.

Rrënojat e fortifikimit — një perimetër drejtkëndor prej rreth 40 x 30 metrash me dy kulla, njëra rrethore dhe tjetra katrore — paraqesin karakteristika tipike të muraturës mesjetare. Artikulli përfundon duke sugjeruar që gërmime të tjera arkeologjike sistematike mund të ndriçojnë origjinën e saktë dhe fazat e zhvillimit të strukturës.

Vendi ndodhet 15 kilometra nga Beltoja dhe edhe sot mund të admirohen:

  • mbetjet e mureve të ruajtura dhe përmasat e tyre mbresëlënëse;
  • dy kullat e dallueshme në anën lindore dhe veriore;
  • pamje mahnitëse: e hapur drejt grykës së Bunës, fushës së Shkodrës dhe detit Adriatik;
  • ambient natyror: një korridor lumor mbresëlënës ku historia dhe natyra ndërthuren.

Vendi duhet vizituar jo vetëm sepse ofron një eksperiencë zhytëse në natyrë, duke mundësuar shëtitje midis mureve të vjetra me pamje nga gryka që bën të prekshme funksionin strategjik të vendit, por edhe sepse krijon një lidhje me historinë, duke rrëfyer histori të principatave vendore, rivaliteteve veneciane dhe luftërave osmane.

Shënim: Ideal për një ekskursion të shkurtër, të përshtatshëm për ata që duan të ecin dhe të thellohen në histori në terren.

  • Fortifikimi Prehistorik, Mali i Gjymtit, Pentar (Penetari)

“… edhe Penetari, që ndodhet në të majtë të Bunës, pranë Belajt, ekziston prej 500 vitesh.” (Armao, 1933: 99)

Mali i Gjymtit, i pozicionuar në zonën e Ultësirës së Poshtme të Shkodrës (Nënshkodra), përbën një kodrinë që mbizotëron brigjet e majta të lumit Buna, pikërisht aty ku ky i fundit, duke përshkuar një çarje tektonike, formon Grykën mbresëlënëse të Belajve. Kjo kalim natyror ka origjinë tektonike dhe erozive dhe është i rrethuar nga dy kreshta malore: Mali i Belajt në jug (ana shqiptare) dhe Fraskanjeli në veri (aktualisht në territorin malazez).

Në majën e Malit të Belajt, në një lartësi prej 118 metrash, ndodhet një tarracë natyrore e quajtur “Tabja e Belajve”, prej nga shtrihet një pamje panoramike e gjerë mbi të gjithë ultësirën e Shkodrës, nga qendra urbane deri në Velipojë e më tej në bregdetin Adriatik. Ky pozicion strategjik e ka bërë vendin ideal për ndërtimin e një fortifikimi mesjetar, prej të cilit sot ruhen mbetje të rëndësishme: mure të drejta, dy kulla këndore (një rrethore dhe një katrore), si dhe fragmente muresh të ndërtuar me gurë gëlqerorë të lidhur me llaç.

Sipas burimeve historike dhe legjendave vendore, në mesjetë këto lartësi mbanin dy kështjella të quajtura Bela dhe Fraska, që i atribuohen simbolikisht dy princeshave shqiptare që thuhet se sundonin zonën dhe vendosnin taksa për lundërtarët e Bunës. Këto kështjella, me gjasë, u shkatërruan ose u përshtatën gjatë sundimit venecian dhe më vonë u pushtuan nga turqit në vitin 1474, gjatë rrethimit osman të Shkodrës. Pikërisht atëherë, vendi u përforcua si një pikë bllokimi strategjike për të penguar hyrjen e trupave veneciane përmes lumit.

Zona është e përsosur për dashamirësit e ecjes malore (trekking) dhe ofron:

  • mbetje të mureve mesjetare, të ruajtura mirë në disa pjesë, veçanërisht në anën veriore dhe verilindore;
  • zbulimin e mbetjeve të kullave mbrojtëse, të integruara në strukturën fortifikuese;
  • një pamje panoramike mbi luginën e Bunës, qytetin e Shkodrës, liqenin me të njëjtin emër dhe bregdetin Adriatik;
  • eksplorimin e një ambienti natyror të pasur me biodiversitet, ku historia dhe peizazhi natyror ndërthuren në mënyrë harmonike.

Shënim: Merrni këpucë të forta për ecje, për shkak të terrenit natyror dhe në disa vende me rrëshqitje.