Me 11 shtator 2024, në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, u zhvillua aktiviteti i parë i projektit “Krijimi i një platforme dixhitale për promovimin e territorit” (PLACOD), seminari trajnues me titull “Qyteti: imazhi & marketingu”. Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues dhe zyrtarë të qeverisjes vendore të Shkodrës, si dhe të institucioneve kulturore të qeverisjes qendrore, si dhe rektorin e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Seminari mirëpriti kumtueset Manjola Lloja Bushati, Bashkia Shkodër, Giovanna Scianatico, CISVA – Qendra Ndëruniversitare për Studimet e Udhëtimit Adriatik dhe Mesdhetar, Melisa Paci, themeluese dhe drejtore e fondacionit kulturor Art House, Shkodër. Menaxherja e Projektit, Prof.Assoc.Alma Hafizi, prezantoi projektin duke falenderuar AUF për mundësinë që ofron dhe mbështetjen financiare. Në fjalën e saj, ajo insistoi në rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor brenda universitetit, midis mjedisit akademik, mjedisit social-kulturor dhe institucioneve publike përgjegjëse për zhvillimin dhe promovimin e territorit. Paneli u ideua si një trekëndësh bashkëpunimi midis autoriteteve lokale, botës akademike dhe iniciativës private.
Panelistja Manjola Bushati (Bashkia Shkodër) vuri në dukje çështjet që lidhen me promovimin territorial të Shkodrës. Para së gjithash, theksoi ajo, është thelbësore të adoptohet një qasje pozitive për të nxjerrë në pah bukurinë dhe potencialin e territorit. Duhet të përcjellim një imazh të kujdesshëm të qytetit, i cili ka kaq shumë për të ofruar, por qasja e marketingut dhe detajet që bëjnë diferencën shpesh kanë munguar në të shkuarën. Folësja përmendi katër festivalet e artit të mbajtura në Shkodër, si dhe fondacionin Art House, të cilin e prezantoi si nismë individuale që përfaqëson asetet e Shkodrës për botën dhe anasjelltas, thesaret e botës në Shkodër. Është thelbësore të njihen problemet ekzistuese në mënyrë që institucionet përkatëse të mund të identifikojnë mekanizmat dhe strukturat adekuate për të përmirësuar imazhin e qytetit dhe për të promovuar atë që ekziston realisht, por shpeshherë mbetet e fshehur. Gjithashtu tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve edhe për rolin specifik të biçikletës, një element që e bën Shkodrën dhe rrjetin e saj çiklistik unik. Së fundi, u prezantua një video promovuese e Liqenit të Shkodrës, ku evidentohen mangësitë e promovimit të turizmit të rajonit, i cili deri tani njihet kryesisht për gastronominë liqenore.
Folësja, Prof. Giovanna Scianatico, drejtuese shkencore e CISVA solli në vëmendje rëndësinë që ka etërsia artistike ose e udhëtimit, e cila bë të mundur rindjekjen e itinerareve të udhëtarëve që nga Antikiteti. Ajo prezantoi përvojën e CISVA-s në hartimin e itinerareve letrare, duke ilustruar pikëpamjen e saj me disa shembuj: letrat nga Princesha e Spanjës dërguar burrit të saj gjatë udhëtimit në Itali. Kushdo që dëshiron të ndërmarrë një udhëtim dhe i referohet korrespondencës së udhëtarëve do të gjejë atje një burim të pasur dhe të vlefshëm informacioni. Vendet e përmendura në këto letra vizatojnë imazhin e qyteteve që përshkoi udhëtimi dhe ofrojnë rrugën që duhet ndjekur për t’i arritur ato. Përshkrimet mund të jenë të detajuara ose më të largëta në kohë, por ato ofrojnë informacion për peizazhet, vlerat kulturore, vendet e trashëgimisë, hotelet, restorantet dhe çdo element bëhet një lidhje me përvojën e jetuar nga udhëtari. Ky lloj tregimi i lejon lexuesit udhëtar të përshtatë udhëtimin e tij. Grupi i synuar i kësaj platforme virtuale është i gjerë, duke përfshirë turistët dhe studentët që kërkojnë pasurim kulturor.
Drejtuesja e Fondacionit ArtHouse, Shkodër, Melisa Paci solli historinë e ArtHouse, e themeluar dhjetë vjet më parë, një realitet privat që është kthyer në një pikë takimi të vërtetë mes artit ndërkombëtar dhe atij vendas. Vendndodhja e tij shtrihet në kryqëzimin e ndikimeve arkitekturore osmane dhe perëndimore të qytetit, sikundër edhe aktiviteti që zhvillohet atje, ku ballafaqohen artistë vendas dhe të huaj, nga brezi i vjetër dhe i ri, të kthyer në Shkodër dhe Shqipëri. Këta artistë ndajnë secili vizionin individual të artit, jo vetëm si një detyrim për institucionet, por edhe si një lidhje e gjallë me jetën e përditshme dhe mjedisin rreth tyre. Të ftuarit, larg prezantimit si guida turistike, e bëjnë veten të njohur në qytet përmes bashkëpunimit të tyre aktiv me mjedisin lokal, duke adresuar jo vetëm sfidat, por edhe potencialin në rritje të Shkodrës si një vend dinamik ku arti bëhet një bisedë e gjallë.
Aktivitetet nuk kufizohen vetëm në reklama kalimtare të cilat lënë pak gjurmë, por mbi të gjitha synojnë të krijojnë vazhdimësi. Objektivi është të shkojmë përtej mureve të institucionit dhe të hapemi drejt qytetit. Një shembull konkret i kësaj hapjeje është festivali “Art Screen”, i frymëzuar nga Festivali i Firences. Risia e parë ishte eventi në Milenium, që shënon rikthimin e kinemasë në hapësirë publike, me shfaqje të hapura më pas në oborret e qytetit. Kështu, këto hapësira bëhen vende ku projeksioni i një filmi integrohet në historinë lokale, duke krijuar një dinamikë ndërveprimi me vende që shpesh janë pak të njohura ose të padukshme.
Në fjalën e tij përmbyllëse, rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. Dr.Tonin Gjuraj, I uroi sukses projektin duke theksuar rëndësinë e ndërkombëtarizimit dhe dixhitalizimit për promovimin e territorit. Ai kujtoi ndikimin e konsiderueshëm të universitetit në shoqëri dhe falënderoi AUF për mbështetjen e sa, ndërsa bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit me këtë agjensi.





